Të gjithë bizneset e vogla që kryejnë xhiro vjetore mbi 2 milionë Lekë të rinj në vit, duke nisur nga kjo e dielë e 1 Prillit do të duhet që çdo ditë të mbajnë librat e blerjes dhe të shitjes. Në këto raporte ata duhet të deklarojnë burimin dhe çmimin e mallit që tregtojë, bashkë me shpenzimet që kanë patur për furnizimin. Ky hap është i domosdoshëm që në fund të vitit të bëhet zbritja për pagesën e tatimit mbi fitimin.
Zyrtarisht, kjo kategori biznesi ka hyrë në skemën e tvsh-së. Tashmë këto ndërmarrje përveç faktit që duhet të presin kuponin tatimor, vlerës së tij duhet t?i shtojnë edhe shumën 20% të tatimit mbi vlerën e shtuar. Ndërsa brenda 3 muajve duhet të plotësojnë pranë Drejtorisë së Tatimeve edhe deklaratën e taksës së tvsh-së.
Por përveç biznesit të vogël, nga kjo datë nis edhe taksimi në bazë të vlerës për të gjitha banesat në Shqipëri. Qeveria i ka deleguar Këshillit Bashkiak që të caktojë mënyrën se si do të vilet kjo e taksë, çka do të thotë se në faturën e ujit të muajit Prill, do të vijë edhe një tjetër shumë, ajo e taksës së pasurisë.
Biznesi detyrohet të paguajë 0.2% të vlerës së pronës, ndërsa rezidentët do të japin 0.05% të vlerës.
Për një apartament mesatar në kryeqytet taksa mujore do të jetë 500 Lekë, ndërsa për një tjetër në periferi pagesa mujore në faturën e ujit do të shtohet me 200 Lekë të rinj.