Një ditë pas protestës së dhunshme në "Rrugën e Kombit" ku iu vu flaka sporteve të firmës koncesionare e cila do mbledhë taksën për automjetet që do kalojnë aty, kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një konference për shtyp se për banorët e zonave të Kukësit do ketë një sistem të posaçme pagese. Kreu i qeverisë tha se firma koncesionare do aplikojë abone për automjetet e banorëve të zonave përreth të cilët kalojnë më shpesh në autostradë, ndërsa ripërsëriti se tarifa 5 euro mbetet e panegociueshme.
"Nuk ka asnjë shans që kjo rrugë të mirëmbahet pa pagesë, është e pamundur. Dhe nga ana tjetër është plotësisht e parashikuar që të ndërtohet një sistem i posaçëm për të gjithë përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Të gjithë banorët e zonës që do përdorin rrugën shpesh do kenë kartën, abonenë për 1 muaj apo gjashtë muaj kjo do diskutohet. Për 6 muaj do identifikohen përdoruesit e shpeshtë, sipas ekspertizës ndërkombëtare. Tarifa 5 euro mbetet e panegociueshme, s'ka diskutim".