Urdhri për dëbimin e dy diplomatëve shqiptarë, Albert Jerasi dhe Arben Doçi nga ambasada jonë në Moskë, ka futur në kolaps punën e saj.
Përfaqësia jonë në Rusi përbëhej në total nga 3 vetë, pikërisht nga dy diplomatët Jerasi dhe Doçi dhe nga ambasadori Arben Gazioni. Ky i fundit mbetet tashmë i vetmi përfaqësues i diplomacisë shqiptare në Rusi, pas shpalljes non-grata të dy diplomatëve, të cilët kanë 1 javë kohë për t?u kthyer në Shqipëri.
Albert Jerasi dhe Arben Doçi janë të dy diplomatë karriere. Jerasi mbante detyrën e zv/ambasadorit shqiptar në Rusi. Ai ndodhej në Moskë prej më shumë se tre vjetësh, ndërsa më herët kishte shërbyer në misionin shqiptar pranë OKB në Nju Jork.
Arben Doçi kishte një përvojë të gjatë në Rusi, e nisur që në vitin 1993. Ai mbante detyrën e këshilltarit të ambasadorit Gazioni dhe të sekretarit të ambasadës.
Ndërkohë fushata e dëbimit të diplomatëve të huaj nga Moska nuk ka të ndalur. Pas përjashtimit të 150 zyrtarëve, 60 prej tyre amerikanë, Ministria e Jashtme ruse njoftoi Britaninë e Madhe se duhet të largojë të paktën edhe 27 diplomatë të tjerë, duke e çuar numrin total të britanikëve të dëbuar në mbi 50.