Këto janë pasojat e dështimit të Policisë Rrugore për të parandaluar një fenomen që ndodh çdo ditë në rrugët tona. Në të njëjtin vend ku një ditë më parë televizionin Klan tregoi me pamje sesi një autobus qëndron kundër çdo rregulli në mes të autostradës Tiranë-Durrës, dy furgona pasagjerësh u përplasën me një trajler.
Injorimi dhe indiferenca e Policisë Rrugore ndaj kësaj situate skandaloze me autobusët dhe furgonët që zbresin e marrin pasagjerë, sipas dëshirës ka bërë që dy vajza 19-vjeçare të jenë sot në spitalin e Durrësit, pasi i shpëtuan vdekjes.
Njëri prej furgonëve ka ndaluar befas për të marrë pasagjerë që ndodheshin në anë të rrugës, teksa furgoni i dytë i cili ndodhej pas tij tentatoi ta parakalojë për t?i marrë pasagjerët. Trajleri i cili po lëvizte në të njëjtën korsi ka tentuar të shmangë përplasjen, por ka mbetur i bllokuar teksa është aksidentuar me furgonin e bardhe.
Por më flagrant është reagimi i Policisë Rrugore që vetëm sa orienton trafikun pas aksidentit, ndonëse para syve të saj përsëritet e njëjta skenë. Një autobus ndalon pak metra më tutje për të marrë disa pasagjerë që nxitojnë për të hipur, ndonëse është e ndaluar rreptësisht. Vetë makina e policisë është e ndaluar pas autobusit, duke bërë të njëjtën gjë. Pak minuta më vonë një tjetër automjet ndalon në korsinë hyrëse të autostradës pa u shqetësuar fare nga prania e patrullës së policisë. Televizioni Klan e ka ngritur disa herë këtë shqetësim por e vetmja përgjigje që ka marrë nga Policia Rrugore është se ajo ka vendosur gjoba.
Situatë kaotike është në të gjitha akset kombëtar ku papërgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve bëhet bashkë me punën e dobët të policisë dhe pasojat i vuajnë qytetarët, pasi në shumë raste aksidente të tilla kanë përfunduar në humbje jetësh.