Debate per tarifen e Rruges se Kombit

2018-05-12 1

Tarifa për Rrugën e Kombit përplasi këtë të enjte mazhorancën dhe opozitën në Kuvend. Akuzave të demokratëve, Kryeministri Rama u kujtoi se mirëmbajtja e kësaj rruge përmes taksimit ishte një nismë e qeverisë Berisha.

Edi Rama: "Vendimarrja e ka zanafillën në vitin 2010, sepse Kryeministri i kohës ka marrë iniciativën për të hapur këtë proces dhe ka thënë publikisht si rrallë në karrierën e tij atë që sot mohon, ne e ndërtuam për ta mirembajtur, por se mirëmbajmë dot".

Ish-Kryeministri Berisha nuk e mohoi mungesën e një studimi, por tha se si pasojë e një kostoje të lartë qeveria e tij vendosi të mos ia faturojë këtë barrë në formë takse bashkëkombasve të tij.

Sali Berisha: "Është e vërtetë që qeveria e kryesuar nga unë, dhe me ministrin Olldashi bëmë të gjitha studimet. Por pas studimit u vendos që taksa të mos vihet. Ne do jepnim para për të mirëmbajtur, ky ishte drejtimi i politikës sonë. Ata që fshihen pas shpatullave të mia si mi, pse s'e vura unë atë taksë? Unë aty e kisha studimin. Mora një orientim se ku rrihte mesatarja e mirëmbajtjes dhe s'e vura. Ramë dakort që kjo s'do ishte me tarifë dhe nuk u vendos".

Por pasardhësi i tij thotë se zgjidhja ishte tarifimi, në mungesë te parave nga buxheti i shtetit.

Edi Rama: "Dy rrugë ka, ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë taksapaguesit ose paguajnë të gjithë përdoruesit dhe koncepti që paguajnë gjithë taksapaguesit është rivënë në diskutim në Gjermani".

Për Lulzim Bashën vendosja e kësaj takse është grabitje e dyfishtë që i bëhet shqiptarëve.

Lulzim Basha: "Në 5 vite e ka rritur dy herë taksën e qarkullimit. Nga ne e gjete 7 Lekë për litër, e bëre 240 lekë për litër. Ti u merr shqiptarëve për 500 mijë ton 120 milionë Dollarë në vit. Pse s'të mjaftojnë ty që të paguash mirëmbajtësin e rrugës. Çfarë bën ti? Ti këto para i bën rrush e kumbulla. Ti sot i takson shqiptarët dyfish".

Kryeministri i ktheu përgjigje edhe akuzave se përmes tarifimit po diskriminohen banorët e zonës.

Edi Rama: "Janë 120 mijë Euro që kompania i jep pushtetit vendor duke e lehtësuar nga ata që do përdorin transportin publik apo furgon, s'do paguajnë asnjë tarifë. Ça pagese shtohet këtu, vetëm logjikë s'ka kjo histori që ju ngrini".

Lulzim Basha: "Me kë tallesh? Do të thotë që ti të vendosësh kuotën sesa kurbinas e lezhianë do ecin në rrugë? Deri kaq do lejohen, do bejë ate ka bërë te Zogu i Zi. Ku e ke dëgjuar kuotën ti, ku e ke dëgjuar këtë çmenduri, ky është sistemi i pasaportizimit të PS".

Debati politik është paraprirë gjatë ditës së djeshme edhe nga një protestë e bizneseve shqiptare dhe atyre kosovare, të cilët thonë se vendosja e saj është një kosto më shumë për ta.