Vetëm një muaj pasi ish-të përndjekurit që kanë punuar në miniera thirrën në interpelancë Ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, merr zgjidhje problemi i tyre. Ditën e sotme, në mbledhjen e Qeverisë u miratua projektligji që do të bëjë të mundur njohjen e kohës së punës në miniera për efekt pensioni.
Mbi bazën e këtij vendimi, të gjithë ata që gjatë kohës së burgimit kanë kryer punë të rëndë në nëntokë, do të shpërblehen për kohën e punës njësoj si paga e minatorëve. Një vendim i tillë do të ketë një efekt të menjëhershëm, në përmirësimin e pensioneve të kësaj kategorie.
Njëkohësisht, projektligji i miratuar ditën e sotme i jep kësaj kategorie një tjetër të drejtë, pasi koha e shpenzuar në minierë njihet sa dyfishi i kohës së qëndrimit në burgje. Një vendim i tillë do të sjellë gjithashtu efekte mbi dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve për kohën e burgimit të padrejtë në periudhën e komunizmit.