Tregtarët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë nisur një protestë në pikën e kalimit kufitar mes dy vendeve, kundër taksës në "Rrugën e Kombit" e paralajmëruar për t'u zbatuar pas datës 15 prill. Tubimit i janë bashkëkuar dhjetëra tregtarë të cilët në shenjë proteste parkuan kamionët në të dy anët e doganës, duke krijuar një varg prej disa km.
Tregtarët e ardhur nga Kosova thanë se do kthehen bosh në vendet e punës, duke bojkotuar ngarkesat me mallra në Shqipëri. Edhe biznese të tjera të Kosovës kanë paralajmëruar ndërprerjen e shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë për shkak të taksimit në "Rrugën e Kombit".