Qeveria refuzon pergjysmimin e takses së prones

2018-05-12 0

Nga data 1 Prill taksa e pronës do të mblidhet nga Bashkitë përmes faturës së ujit. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha në Komisionin e Ekonomisë se përsa kohë që të ngrihet kadastra fiskale, nuk do të ketë një agjent tatimor të përcaktuar nga qeveria. Ahmetaj refuzoi edhe kërkesën e opozitës për të përgjysmuar nivelin e kësaj takse për një periudhë tranzitore, kohë në të cilën qeveria do të përgatisë databazën e plotë të dhënave.

Qeveria pret që vitin e parë të mbledhë 30 milionë Dollarë të ardhura më shumë, të cilat do të shkojnë në buxhetin e bashkive. Komisioni i Ekonomisë u përfshirë në debate edhe për përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar. Opozita akuzoi qeverinë se me këtë masë do të rrisë çmimin e produkteve në treg.

Më 1 Prill bizneset me xhiro mbi 2 milionë Lekë do të duhet që të mbajnë libra shitjesh dhe njëherë në 3 muaj të plotësojnë deklaratën e TVSH-së. Bëhet fjalë për rreth 11 mijë ndërmarrje të vogla të cilat po ashtu edhe në vlerën e kuponit tatimor duhet të shtojnë shumën 20% mbi çmimin e mallit që shesin.