Demarkacioni, ekspertët: Afirmoi shtetësinë e Kosovës, nis liberalizimin e vizave

2018-05-12 1

Miratimi i Demarkacionit nga ana e parlamentit të Kosovës ishte një mundësi shumë e mirë për afirmimin e shtetit të Kosovës, por edhe një hap drejt liberalizimit të vizave.

I këtij mendimi është eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, i cili thotë se, impaktet e miratimit të marëveshjes me Malin e Zi do jenë pozitive.

Enver Bytyçi: Impakti pozitiv i këtij vendimi ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Besoj dhe shpresoj që në vjeshtën e këtij viti shqiptarët e Kosovës të lëvizin pa viza në shtetet Shengen të Bashkimit Europian. Përcaktimi i kufinjve mes Kosovës dhe Malit të Zi është afirmim i shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Por, për një tjetër njohës po aq të mirë të realitetit në Kosovë, Gëzim Podgorica, miratimi i kësaj marëveshje nuk çon automatikisht në liberalizimin e vizave, pasi Kosova duhet të luftojë sidomos korrupsionin.

Gëzim Podgorica: Miratimi i Demarkacionit nuk do të thotë automatikisht heqje e vizave. Fatkeqësisht është abuzuar me këtë. Kosova ka një tjetër detyrë shumë të rëndësishme, që është lufta kundër korrupsionit.

Megjithatë, Bytyçi dhe Podgorica bashkohen në një pikë, që institucionet dhe politika kosovare duhet të jenë më të përgjegjshme në marrëveshjet që nënshkruajnë apo ratifikojnë, sidomos sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Maqedoninë dhe Serbinë.

Gëzim Podgorica: Një hap i rëndësishëm u krye, shumë i vonuar dhe që prodhoi më shumë politikë seç ishte dhe çfarë konsumon Kosova. Politikanët e Kosovës duhet të jenë më të përgjegjshëm, duhet të reagojnë me maturi dhe duhet ta menaxhojnë më mirë dhe me racionalitet gjithë veprimin e tyre politik, që të mos përsërisin situata të tilla me çështjen e Demarkacionit.

Enver Bytyçi: Ky duhet të bëhet mësim, që në çdo vendimmarrje apo marrëveshje, të shkohet mbi bazën e ekspetizës, mbi bazën e konsultimit të gjerë, politike transparente me qëellim që vendimmarja të jetë e drejtë, e arsyeshme dhe kudnërsthitët të mos jenë në këtë shkallë siç ishin në rastin e demarkacionit me Malin e Zi.

Miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi u kthye në një problem më shumë se 2-vjeçar për Kosovën,  pasi palët politike debatuan dhe u konfliktuan, deri në rrëzimin e një qeverie.

Banorët e Kosovës janë të ndarë në dy qëndrime, pro dhe kundër, kësaj marrëveshje, e cila u nënshkrua në vitin 2015 nga Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Bujanoviç.

Miratimi i marrëveshjes me malin e Zi është hapi i parë drejt shënjimit të kufirit të Kosovës, që do vijojë me Maqedoninë dhe Serbinë, çka pritet të jetë akoma më i vështirë se me Malin e Zi.