Adriatik Llalla nën hetim për pastrim parash

2018-05-12 6

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Ish-numri një i akuzës do të hetohet për veprën penale të pastrimit të parave. Mësohet nga burime jo zyrtare se hetimi do të kryhet nga Prokuroria e qytetit bregdetar, për të shmangur konfliktin e interesit, duke qenë se Llalla mund të ketë ende ndikim tek Prokuroria e Tiranës. Të njëjtat burime jo zyrtare thonë se Prokuroria e Durrësit ka kërkuar informacione nga disa institucione që kanë verifikuar pasurinë e ish-Kryeprokurorit.

Në dispozicion të hetuesve do të vihen deklaratat e pasurisë së Adriatik Llallës të bëra ndër vite, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Gjithashtu kartelat e pasurive të paluajtshme që ai ka deklaruar në Hipoteka dhe të gjitha transaksionet që janë kryer me këto pasuri.

Do të verifikohet shitja e një sipërfaqe ullishte prej 3 mijë metrash katrorë në zonën e Mjull Bathores në Tiranë, të cilën Lllala e ka shitur për 250 mijë euro. Hetimi për ish-drejtuesin e Prokurorisë nisën pas heqjes dorë që Llalla bëri nga procesi i Vettingut, më 16 Shkurt. Pas këtij vendimi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin për të, por rezultatet nuk u bënë publike asnjëherë.

Pritet që edhe dosja e KPK t'i kalojë Prokurorisë së Durrësit, pasi aty mund të ketë të dhëna të vlefshme për hetimin. Më 15 Shkurt, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se për shkak të përfshirjes në korrupsion, Llallës i ndalohet hyrje në SHBA. Vendimi u mor nga ish-Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, mbi bazën e informacioneve të besueshme.

Televizioni Klan u interesua pranë Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin ndaj Llallës, por përgjigja ishte se nuk kishin asnjë informacion për këtë çështje. Ndërsa nga Prokuroria e Durrësit na u tha se do të kishim një përgjigje brenda afateve që përcakton ligji, për të drejtën e informimit.

Tv Klan

Free Traffic Exchange