Basha u kerkon ndjese ish te perndjekurve per premtimet

2018-05-12 0

Një takim me ish-të përndjekurit politik i shërbeu Lulzim Bashës për të dhënë mesazhe bashkimi ndaj të gjithë të larguarve nga radhët e Partisë Demokratike, të cilët e bënë përgjegjës për humbjen e thellë në zgjedhje dhe kërkuan dorëheqjen e tij.

Një prej tyre, ish kreu i Departamentit për të Përndjekurit Politik në Partinë Demokratike, Tomorr Alizoti e ftoi të pranojë mendimin ndryshe.

"Mendimi ndryshe është thelbi i demokracisë. Është koha për t'u bashkuar dhe reflektuar, e djathta të kthehet në shtëpinë e saj", tha Tomorr Alizoti.

"Unë kam bërë gabimet e mia. Kërkoj prej jush të drejtën për reflektim. Eja Tomorr të bashkohemi, është garancia e vetme, së bashku me nisjen time dhe me zotimin tim se do bëjmë gjithçka", u shpreh Lulzim Basha.

Por kjo nuk ishte e vetmja ndjesë e Lulzim Bashës. Një ?mea culpa? e pati edhe ndaj ish të përndjekurve politikë, ndaj të cilëve e djathta në vitin 2010 u angazhua përmes një komisioni për gjetjen e eshtrave të 4500 të ekzekutuarve nga sistemi totalitar.

"Falje që në përmbyllëm procesin e gjetjes së eshtrave të paraardhësve tuaj. Në 2010 u ngrit një komision, por as koha dhe as burimet financiare nuk mjaftuan për ta përmbyllur këtë proces".

Premtimin e pambajtur ndaj ish të përndjekurve, Basha u zotua se do ta bënte realitet në paketën ligjore që demokratët po hartojnë ndaj krimeve e simboleve të komunizmit, pjesë e së cilës ishte edhe ligji nga ku Partia Demokratike u tërhoq përmes së cilës kërkohej shfuqizimi i 20 Shkurtit, që njihet si dita e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha dhe zëvendësimi me 26 Shkurtin.