Report TV - Përçahet LSI-ja dhe në Korçë, 2 këshilltarë kalojnë tek PS

2018-05-12 0

KORÇË - Skandali i lobimit të Partisë Demokratike në SHBA me një kompani të lidhur me rusët, vijon të tkurrë Lëvizjen Socialiste për Integrim në bazë. Dy këshilltarë të kësaj force politike në këshillin bashkiak të Korçës i janë bashkuar Partisë Socialiste ditën e sotme.

Këshilltarët Marilena Dervishi dhe Shkëlqim Larti përmes një deklarate publike, shprehen se po largohen nga LSI dhe i bashkohen PS.

"Jam sot këtu për të ndarë me ju një vendim të cilin e kam menduar dhe ndarë shpesh me miqtë dhe bashkëpunëtorët e Levizjes Socialiste per Integrim. Unë jam një nga njerëzit e parë që i jam bashkuar kësaj force politike në Korçë, qysh në krijimin e saj, me përgjegjësinë e një ish-ushtaraku për të kontribuar për komunitetin dhe vendin tim. Ne çdo moment kam besuar dhe punuar në funksion të qëllimit të kësaj force politike, e jam i bindur në funksion të qëllimit të çdo korçari që më ka besuar dhe na ka besuar gjatë këtyre viteve", thuhet në deklaratën e këshilltarit Shkëlqim Larti.

Këshilltarët e LSI sqarojnë se shkak për këtë vendim është bërë aleanca e LSI me Partinë Demokratike, aleancë e cila sipas tyre i mban larg nga Europa, ndërsa akuzojnë PD-në se pas saj qëndron Moska.