Jo vetëm falsifikimi i dokumenteve të udhëtimit si karta identitetit, pasaporta apo vizat ishin pjesë e punës së grupit kriminal që trafikonte shqiptarë drejt Amerikës dhe Britanisë e Kanadasë.
Report Tv ka mësuar se ky grup përpara se t'i niste shqiptarët drejt këtyre vendeve fillimisht i kalonte në qendra estetike për të përshtatur pamjet e tyre të jashtme në flokë e fytyrë me personave të cilëve u ishte marrë pasaporta e huaj.
Shtetasi I.Z rezulton se është një prej shqiptarëve i cili ka udhëtuar drejt Bullgarisë me destinacionin final Amerikën.
I shoqëruar nga trafikantët emigranti i paligjshëm është ndalur fillimisht në një qendër estetike ku ai është kuruar për pamjen e jashtme për ti ngjarë sa më shumë Bullgarit të cilit i ishte marrë pasaporta.
Ky grup kriminal u zbulua vetëm pak ditë më parë nën operacionin e koduar ?one if by land? ndërsa në pranga ranë 40 persona, 35 trafikant dhe 5 efektiv policie njëri prej tyre për dekonspirim të operacionit.
Nga hetimi pasurorë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur të sekuestroj një shumë të konsiderueshme parash ta paguar nga emigrantët, mbi 10 automjete, disa llogari bankare si dhe një agjenci turistike.