Përmbytjet në Shkodër, por edhe moti i paqëndrueshëm në gjithë vendin janë disa prej situatave meteorologjike që vijojnë të jenë shqetësuese në aktualitetin e sotëm. Për Report TV, meteorologu Metodi Marku tregon hartën e përmbytjeve dhe parashikimin për ditët në vijim. ?Pakësimi i reshjeve në dy ditët e kaluara do të reflektohet dhe është reflektuar tashmë në një ulje në basenet ujore Drin, Bunë dhe Liqeni i Shkodrës.
Në vijim, por edhe në mbyllje të kësaj dite dhe në dy ditët e para të javës që vjen presim që të vazhdojë ulja e niveleve. Përsa i përket pjesës tjetër të territorit, ne do të vazhdojmë të vërejmë një rritje të prurjeve, por vetëm në pjesën fushore të lumenjve të tjerë të vendit?.
Ndërsa për javën e ardhshme priten përmirësime, por jo mot të qëndrueshëm. ?Dita më e ftohtë pritet të jetë dita e nesërme, më saktë mëngjesi i ditës së nesërme, ku në vendet malore, në zonat e banuara do të vërehen temperatura, - 5, -6 gradë celsius, ndërkohë që orët e mesditës do sjellin rritje krahasuar me ditën e sotme, prej 3 dhe 4 gradë, dhe që kjo do të bëjë që me një rritje tjetër të ditës së diel ne të rikthehemi në vlerat e temperaturave që patëm ditën e mërkurë.
Për gjithë territorin do të vazhdojmë të kemi një mot relativisht të paqëndrueshëm, ku do të dominojnë vranësirat, por periudhat e reshjeve do të jenë më të shkurtra se në ditët e kaluara?. Situata e motit ka sjellë problematika në shumë zona të vendit. Përpos përmbytjeve në Shkodër, në shumë zona ka pasur mungesë të energjisë elektrike.