Besimtaret bektashinj kremtuan festen e Sulltan Novruzit

2018-05-12 4

Për festën e Novruzit, besimtarët bektashi kanë marrë urimin e tyre edhe nga politikanët, që kanë vizituar si çdo vit Kryegjyshatën Botërore të Bektashizmit.

Presidenti i Republikës i ka drejtuar urimet e tij në fjalën e mbajtur në ceremoninë festive të përmotshme, në krah të Kryegjyshit Baba Edmond Brahimajt.

"Besimi i palëkundur në të plotfuqishmin Zot dhe në mësimet e shenjta, i bën mirë cilitdo. Besimi i patundur në Atdheun tonë të përbashkët, në të ardhmen e tij të ndritur si dhe në vlerat përbashkuese kombëtare, na bën mirë të gjithëve, na bën më krenarë e më të bekuar të gjithë bashkë, si shqiptarë! Duke uruar nga zemra në këtë ditë hareje, shprese dhe optimizmi fetar e pranveror, dëshiroj t?ua përcjell këtë urim mbarë popullit shqiptar dhe besimtarëve bektashianë kudo në botë!"

Kryedemokrati Lulzim Basha e gjen me vend që në këtë ditë të festës, që simbolizon ringjalljen, t'u kërkojë shqiptarëve të bashkohen, për të ringjallur shpresën dhe mposhtur krimin.

"Është dita e triumfit të madh, të bashkimit të vullnetit të shqiptarëve, por është po kështu një thirrje për një bashkim dhe një zgjim tjetër të madh vullnetesh të shqiptarëve për të mposhtur diktaturën e krimit, për të marrë në dorë fatin tonë dhe për ta çuar Shqipërinë drejt destinacionit të saj hyjnor, mision kombëtar i Partisë Demokratike dhe Shqipërisë së lirisë, së dinjitetit, të punës dhe të demokracisë europiane".

Kryeministri Edi Rama ka vendosur një standard personal dhe gjatë festave fetare uron vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale dhe jo nga selitë e shenjta. Nga mazhoranca, urimin pas vizitës në Kryegjyshatë e bëri Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Në fenë bektashiane, Dita e Novruzit, që është dhe dita e lindjes së Imamit Ali, shënon dhe ardhjen e Pranverës.