Situate e renduar nga permbytjet

2018-05-12 2

Situata në zonën e përmbytur në Shkodër vazhdon të jetë e rënduar ndaj Ministria e Mbrojtjes ka shtuar forcat operacionale dhe mjetet në ndihmë të banorëve. Përveç forcave operacionale aty ka mbërritur dhe një grup i batalionit komando në ndihmë të banorëve.

Siç raporton Bashkia, gjatë natës janë rrëzuar disa shtylla elektrike, për shkak se prej ditësh janë të mbuluara nga uji dhe për rrjedhojë fshatra të tëra janë pa energji elektrike.

Sipërfaqja e përmbytur vazhdon të jetë rreth pesë mijë hektarë tokë dhe 400 shtëpia janë të rrethuara nga uji. Ministria e Mbrojtjes raporton se gjatë natës janë vendosur mbi 2 mijë thasë me rërë në argjinaturën e Pentarit.

Rrugët Shirq-Darragjat, Belaj-Pentar, Bishti i Qarrit dhe Urrela janë të bllokuara. Në disa shkolla, në ambientet e brendshme ka prezencë uji.

Kurse në qytetin e Shkodrës në zonën e Livadheve ndodhen mbi 70 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre. Në Anën e Malit ujësjellësit janë jashtë funksionit dhe banorët kanë nevoja urgjente për furnizimin me ujë të pijshëm.

Një lagje në Obot është plotësisht e bllokuar. Në Bërdicë gjithashtu janë shtuar problemet. Në rrugën nacionale ka dalë uji dhe kërkohet ndërhyrje. Situatë ka edhe në Guri të Zi dhe në Velipojë.

Me shumë vështirësi kalohet dhe me makinë ushtrie, ndërsa në disa zona kalimi bëhet i mundur vetëm me varkë.