Vettingu, gjykata Kushtetuese në rrezik, nëse Lulo përjashtohet mbetet me 4 anëtarë

2018-05-12 0

Shqipëria shumë shpejt mund të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese. Nëse Komisioni i Pavarur i Apelimit, organi i shkallës së parë i Vetingut, vendos ditën e premte përjashtimin nga drejtësia të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, për shkak të mosjustifikimit me dokumentacion ligjor të pasurisë së deklaruar, Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë më asnjë vendim. Me dorëheqjen e anëtarit tjetër Besnik Imeraj, po për shkak të Vetingut, Gjykata Kushtetuese ka mbetur me pesë anëtarë me mandat të plotë, aq sa duhet shumica e domosdoshme për të marrë një vendim. Kushtetuesja përbëhet nga nëntë anëtarë dhe që një vendim të jetë i vlefshëm, duhet të votohet nga pesë anëtarë pro. Por, nëse organet e Vetingut vendosin të ndëshkojnë anëtarin tjetër Fatos Lulon, siç edhe u dhanë disa sinjale në seancën e sotme dëgjimore, Gjykata Kushtetuese mbetet me katër anëtarë dhe për pasojë as nuk mund të mblidhet më dhe as nuk mund të marrë vendim. Ndërkaq, me vijimin e procesit të Vetingut një fat të tillë mund ta këtë edhe Gjykata e Lartë, anëtarët e së cilët kanë deklaruar pasuri marramendëse në vite të ndryshme kalendarike. Mundësia e boshatisjes së gjykatave dhe prokurorive nga gjyqtarët dhe prokurorët për shkak të procesit të Vetingut është paralajmëruar dy vjet më parë nga përfaqësuesit ndërkombëtar, por ende nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar në kolaps të përgjithshëm.