Nuk ka të ndalur rënia e euros. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka pësuar dje rënien e rradhës, duke zbritur në 129 lekë, ose 0.88 lekë më pak se një ditë më parë. Një vit më parë, në të njëjtën datë, një euro këmbehej me 135.88 lekë. Ky është niveli më i ulët që nga 21 korriku i vitit 2009.
Por edhe dollari është në fiksuar kuotën e 105 lekëve, me rënie 0.46 lekë kundrejt ditës së hënë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur këmbehej me 127.5 lekë, rënia e dollarit është më e shpejtë. Monedha e gjelbër ka zbritur në nivelin më të ulët që nga gushti 2014.
Procesi rënës i valutave ka nisur që nga fillimi i këtij viti, por gjatë tri javëve të fundit po kthehet në një fenomen shumë të theksuar. Në këto javë, euro ka humbur 3 lekë. Ekspertët e tregut pohojnë se arsyet mbeten të njëjta: oferta e lartë në valutë dhe kërkesa e dobët për monedhën vendase. Ata vlerësojnë se janë disa arsyet pse është shtuar sasia e euros në qarkullim. Së pari, burimet informale, duke përfshirë valutën që gjenerohet nga aktivitetet kriminale, por edhe nga korrupsioni dhe evazioni fiskal. Së dyti, janë shitjet e pasurive të patundshme. Ekspertët vlerësojnë se janë shtuar shitjet e shtëpive në zonën e bregdetit nga vendas, emigrantë, por edhe shtetas të huaj dhe kjo ka rritur sasinë e parasë ?cash? në qarkullim. Të gjitha këto transaksione janë në euro.