16 njësi administrative në Qarkun e Korçës, për drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë të Juglindjes, Lorenc Panganika, konsiderohen zona me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike.
Të 16 këto zona shtrihen në zonat më të thella të këtij qarku, zona të cilat edhe më parë janë njohur nga policia e shtetit si problematike për kultivimin e kanabis sattiva. Sipas Panganikës, në bashkinë e Korçës zonat me risk më të lartë janë njësitë administrative të Lekasit, Vithkuqit dhe Voskopojës, Në Pogradec, Dardhas, Trebinjë, Proptisht dhe Velçan. Ndërsa në bashkinë e Devollit janë konsideruar me rrezikshmëri të lartë njësitë administrative të Mirasit dhe Hoçishtit.
Pesë njësi adsministrative edhe për policinë e juglindjes paraqiten me risk të lartë në Bashkinë e Ersekës. Si të tilla janë kategorizuar Barmashi, Leskoviku, Clirimi, Novosela dhe njësia qendër Ersekë, ndërsa në Bashkinë e Maliqit zonat e Gorës dhe Moglicës.
Nga ana tjetër drejtori i krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Josif Shtëmbari, ka bërë me dije se falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtare kryesisht ata italianë, për këtë vit strukturat e luftës kundër narkotikëve janë të kompletuar qoftë me njerëz ashtu edhe me logjistikën e nevojshme.