Basha: Letra e Xhafajt, akt i denueshem

2018-05-12 0

Akt të dënueshëm përmes së cilit qeveria kërkon të vërë nën kontroll Prokurorinë e cilësoi Lulzim Basha letrën që ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i dërgoi prokurorit të krimeve të rënda, Besim Hajdarmataj, për të thirrur në cilësinë e dëshmitarëve kreun e demokratëve dhe ish-kryeministrin Berisha në lidhje me deklaratat e tyre për 613 kilogramët e kokainës së kapur në Durrës.

?Kjo deklaratë, kjo letër është një akt i dënueshëm i Fatmir Xhafajt. Është vendosja edhe de-juro e Prokurorisë nën urdhrat e qeverisë, nën urdhrat e Ministrit të Brendshëm. Informacioni më i sigurt që mund të jap unë për të gjetur rrugët e kokainës në Shqipëri është që Prokuroria mjafton të gjurmojë Olsi Ramën dhe Agron Xhafajn."

Këtë deklaratë Basha e bëri gjatë një konference për mediat në fokus të së cilës ishte deklarata përmbyllëse e misionit te Fondit Monetar Ndërkombëtar për situatën ekonomike në Shqipëri. Sipas Bashës, kjo deklarate është një alarm që paralajmëron një situatë tejet të zymtë për ekonominë.

?FMN ka lëshuar një mesazh të qartë se gjendja ekonomike e Shqipërisë do të përkeqësohet në të ardhmen. Mbarimi i TAP-it dhe Devollit, investime të siguruara nga qeverisja demokrate, do ta thajnë ekonominë nga investimet e huaja, që janë të domosdoshme për të krijuar punësim dhe rritur ekonominë. FMN-ja i bie alarmit se borxhi i jashtëm ka arritur nivelin e papërballueshëm, gati 72 përqind të PBB (Prodhimit të Brendshëm Bruto), madje këtu nuk përfshihet borxhi i PPP-ve (Partneriteti Publik Privat) që e rrit edhe me 10 pikë të tjera.?

Rrezikut në rritje që vjen nga PPP-të tha Basha i shtohen edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë që sipas kreut të demokratëve kanë arritur nivelin e 270 milionë dollarë, duke u kthyer në faktor serioz që po e çon vendin drejt krizës financiare.