Prokuroria dergon ne gjykate ish-deputetin Selami

2018-05-12 0

Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim procedimin penal ndaj ish-deputetit të LSI-së, Shkëlqim Selami. Ai akuzohet për ?Falsifikimi të vulave, stampave dhe formularëve?.

Selami humbi mandatin e deputetit të fituar në 2013-ën në qarkun e Vlorës, pasi Prokuroria e Përgjithshme konstatoi në 2016-ën se nuk kishte deklaruar në formularin e Dekriminalizimit një arrestim në Itali në vitin 2006, nën akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale të trafikut të klandestinëve.

Selami u ndalua në 2006-ën pasi Gjykata e Brindizit në vitin 1994 kishte vendosur masën e arrestit me burg. Në 6 Shtator 2006 masa e arrestit iu hoq dhe në 7 Shkurt 2007 edhe gjykata e Brindisit e pushoi çështjen për arsye të parashkrimit, për shkak të tejkalimit të afateve.

Por asnjë nga këto nuk u deklaruan në formularin e Dekriminalizimit. Prokuroria thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me një vendim gjykate të padeklaruar, për të cilin Selami ka qenë në dijeni. Po sipas prokurorisë, gjykata e Brindizit nuk është shprehur për pafajësi, sikurse ka deklaruar Selami, i cili është prezantuar me 2 avokatë të zgjedhur prej tij.

Në Dhjetor 2016, KQZ vendosi t?i ndërpresë Selamit mandatin e deputetit. Ai e dërgoi çështjen në Gjykatën Administrative, por ajo i rrëzoi pretendimet e tij. Tashmë ai duhet të përballet në gjykatë me akuzën e re, atë të falsifikimit të një dokumenti zyrtar.

Tv Klan