E marta ka sjellë përkeqësim të situatës së përmbytjeve në Shkodër. Problemet kanë nisur të shfaqen edhe në periferi të qytetit. Në zonën e Livadheve uji nga liqeni i Shkodrës ka përmbytur rreth 40 shtëpi, 6 familje janë evakuuar.
Më problematike paraqitet situata në zonat afër liqenit. Edhe në zonën e Nënshkodrës situata është përkeqësuar. Niveli i ujit është rritur me 20 cm, duke vështirësuar kalimin në drejtim të njësisë Administrative Dajç, por edhe aksi Shkodër-Velipojë ka shumë probleme. Në gjithë territorin e Shkodrës janë 4118 hektarë tokë nën ujë.
Një ditë pas përmbytjes në Durrës, Uji është tërhequr nga rrugët, por pasojat e lëna pas janë të mëdha. Rruga që lidh shëtitoren Taulantia me Currilat vijon të mbetet e bllokuar për qarkullimin e automjeteve. Kodra e Currilave ka rrëshqitur si pasojë e reshjeve të fundit masivisht.
Krahas rrugës në rrezik mbeten dy shtëpi të ndërtuara rrëzë kodrës. Investimi i bërë tre vite më parë nga Ministria e Mjedisit rezultoi afat i shkurtër. 2 milionë euro të investuara nuk i dhanë zgjidhje fenomenit të rrëshqitjes, i cili u rishfaq një vit më pas.