Ekskluzive/ Nis kontrolli i 500 diplomatëve, në ‘sitë’ 50 ambasadat e misionet shqiptare në botë

2018-05-12 0

Personeli diplomatik në ambasadat shqiptare kudo në botë, punonjësit e misioneve të përhershme pranë organizatave ndërkombëtare, punonjësit e misioneve të posaçme si dhe stafi i Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, po i nënshtrohen verifikimit për lidhje të mundshme me ish-Sigurimin e Shtetit.

Verifikimi masiv është konfirmuar për Shqiptarja.com nga Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, organ përgjegjës për mbledhjen, ruajtjen, përpunimin, administrimin dhe përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Personeli diplomatik dhe administrata e MEPJ po kontrollohen nëse kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me organet e ish-Sigurimit të Shteti, në veprimtari të karakterit politik. Në filtrin e Autoritetit po kalon personeli diplomatik në 50 ambasada dhe misione të përhershme të Shqipërisë në vende të ndryshme të rajonit, Evropës dhe botës, duke nisur që nga ambasadorët.