Lihen ne burg trafikantet e klandestineve

2018-05-12 1

Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg 39 të arrestuarit të cilët kanë trafikuar drejt Anglisë, Amerikës dhe Kanadasë 1 mijë shqiptarë. Togat e zeza janë bindur nga provat e sjella nga prokurori Eugen Beci, i cili ka kërkuar mbajtjen në qeli të të arrestuarve deri në përfundim të hetimeve.

Sipas hetimi 39 personat në formën e grupit të strukturuar kriminal kanë trafikuar shtetas shqiptarë kundrejt pagesave që varionin nga 7 mijë paude për kalimin në Angli dhe deri ne 30 mijë dollarë për në Amerikë dhe Kanada.

Seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë zgjati rreth 10 orë për shkak të numrin të lartë të të arrestuarve, por edhe infrastrukturës së dobët. Kjo seancë tregoi që gjykatat shqiptare nuk mund të përballojnë një proces me një numër kaq të lartë të pandehurish.

Pjesë e këtij hetimi ishin autoritet spanjolle, amerikane dhe ato bullgare. Për trafikimin e shqiptarëve përdoreshin itenerarët Shqipëri-Itali-Angli dhe Shqipëri-Francë-Angli. Ndërsa për në Amerikë ose Kanada ndiqeshin linjat Shqipëri-Bullgari-Belgjikë-Republika Domenikane ?SHBA ose Shqipëri-Spanjë-Amerikë Latine dhe më pas në Amerikë.

Tv Klan publikoi foto nga ambientet e shtëpive të shndërruara në laboratorë të falsifikimit të dokumenteve. 15 milion dollarë dyshohet se kanë fituar 7 grupet kriminale, ndërsa 12 persona janë shpallur në kërkim si të përfshirë në këtë aktivitet. Një pjesë e mirë e parave dyshohet se janë investuar dhe në korruptimin e strukturave shtetërore të vendeve ku tranzitoheshin klandestinët.