Lulzim Basha nuk komentoi vendimin e dhënë nga Gjykata për kryebashkiakun Lezhës Frran Frrokaj, por foli për drejtësi selektive duke përmendur disa nga zyrtarët e lartë të majtë të vënë nën akuzë nga opozita për korrupsion dhe lidhje me krimin.
"S'kam marrë përsipër të gjykoj vendimet e gjyqësorit, por drejtësi është ajo që funksionon në kushte të barabarta. Pse nuk është arrestuar Rroshi, Veliaj po tjetërson pronat tek Teatri Kombëtar, është tjetërsuar pronë në Fier për të favozriuar inceneratorët e Ahmetajt. Kur do dalë Tahiri para drejtësisë, kur do dalë para drejtësisë Dako, kur do dalë para drejtësisë Sejdini, kur do hetohet Gjiknuri i akuzuar se ka bërë pazare me banditët për blerje votash që në Dibër".
Shqiptarët i ftoi të mos heshtin përballë narkoshtetit që ai tha se i ka shtrirë krahët në sistemin e drejtësisë.
"Kërkoni llogari se çfarë po bën drejtësia për çështjet kapitale në vend se pa u vënë këta njerëz para drejtësisë do të thotë se narkoshteti i ka shtrirë krahët edhe në drejtësi, duke fshehur drejtuesit në pushtet. Se Rama ka një axhendë të shpëtojë autorët e drogës së Xibrakës".
Këto deklarata kreu i demokratëve i bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar, në qendër të të cilit ishte gjendja e rendit dhe drejtësisë në vend.