Nën masa të rrepta sigurie është zhvilluar masa e sigurisë ndaj Kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj dhe 10 personave të tjerë të arrestuar për skandalin e pronave në plazhin e Ranës së Hedhun.
Ky është momenti kur qytetari i parë i Lezhës ka hyrë me pranga në duar në sallën e gjyqit. Ndërsa jashtë gjykatës qëndronin qindra qytetarë, të cilët e mbështesnin.
Në seancën që zgjati për më shumë se 2 orë Frrokaj e priti i qetë vendimin. Në përfundim gjykata vendosi të ndryshojë masën e sigurisë arrest me burg marrë në mungesë, në arrest shtëpie, për 9 nga 11 të arrestuarit.
Fran Frrokaj, zëvendësi i tij Enver Hafizi dhe kryetari i qarkut Lezhë, Gjok Ndoka do të qëndrojnë në arrest shtëpie, nuk duhet të largohen nga Lezha dhe nuk duhet të komunikojnë me njerëz të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë.
Vendimi është pritur me ovacione nga mbështetësit e Frrokajt, të cilët kanë qëndruar gjatë gjithë seancës jashtë rrethimit të gjykatës.
Të vetmit që do qëndrojnë në qeli janë Ardenis Haxhia, jurist në Bashkinë e Lezhës dhe Enkelejd Zefi hartograf në Hipotekën e këtij qyteti. Të gjithë akuzohen për tjetërsimin e një sipërfaqe toke në Shëngjin, në vendin e quajtur Rana e Hedhun.