Kur para policisë mbështetësit u shumëfishuan, Gjykata e Lezhës njoftoi se vlerësimin e masës së sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Lezhës do të behej të hënën.
Turma e njerëzve kërkonte lirimin e Frrokajt. Arrestimin e tij e cilësojnë politik dhe që ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale. Ata thonë se në Lezhë ka patur mjaftueshëm të tjerë zyrtarë për të arrestuar, për të cilët është faktuar përfshirja në krim dhe korrupsion. Protestuesit kërkuan mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike që sipas tyre duhej të ishin bashkë me ta.
Nga Partia Demokratike ishte kryetari i degës së Lezhës, Paulin Marku, që ashtu si mbështetësit e Frrokajt flet për sulm politik.
Hetimet që çuan në arrestimin e Kryebashkiakut të Lezhës dhe te 12 zyrtarëve nisën në vitin 2017 kur një qytetar, Pjeter Prela iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme me një kallëzim për tjetërsimin e sipërfaqes së tokës në Shëngjin, në vendin e quajtur ?Rana e Hedhun?.
Prokuroria regjistroi procedimin penal në shtator të të njëjtit vit me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa në 16 shkurt 2018 ngriti akuzën për shpërdorim detyre ndaj zyrtarëve që ishin në hetim.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit, me dokumente të falsifikuara kanë shndërruar sipërfaqe të mëdha tokë nga tokë shtetërore në tokë arë dhe pemtore dhe e kane regjistruar ne Hipotekë duke e përfituar padrejtësisht. Për të njëjtën çështje, policia ka shpallur në kërkim 11 zyrtarë dhe persona të tjerë.
Tv Klan