Të gjitha bashkitë do të kenë një sistem të unifikuar për tarifat e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane. Në një takim me kryetarët e bashkive, ministri i Mjedisit Blendi Klosi tha se projektligji për koston dhe tarifimin e mbetjeve urbane përsa i përket përpunimit të tyre nga njësitë vendore, synon menaxhimin më mirë të mbetjeve urbane.
"Është e papranueshme që në vitin 2018 të kemi një sistem të ç'organizuar të trajtimit të kostove dhe tarifave të trajtimit të mbetjeve urbane duke sjellë kosto të ndryshme nga një bashki në tjetrën, ndaj përgatitja e një formule nga ekspertët e fushës do të bëjë të mundur që të kemi transparencë në llogaritjen e kostove të menaxhimit të mbetjeve urbane, të kemi projekte të qarta e të mbrojtura si dhe kontrata të përcaktuara në bazë të normave dhe standarteve.
Prandaj përgatitja e projektligjit do bëjë të mundur që ne të kemi transparencë në përgatitjen e kostove të menaxhimit të mbetjeve urbane, të kemi projekte të qarta dhe të mbrojtura edhe karshi qytetarëve", theksoi ministri Klosi.
Ministri Klosi tha se duhet punuar për një menaxhim më të mirë të vendgrumbullimeve të vogla, që nga fshati deri në qytetet e mëdha, me qëllim ndarjen në burim të mbejtjeve.