Zbulohen fotot e laboratorit te vizave false ne Tirane

2018-05-12 0

Këto janë ambientet të brendshme të banesave të grupit që dergonte klandestinë nga Shqipëria drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Anglisë, permes shumave të mëdha. TV KLAN ka siguruar foto nga të disa prej banesave, të kontrolluara nga njësia e Task ? Force e Policisë. Në to shihen pajisje që thuajse përbëjnë laboratorë të mirëfilltë që prodhojnë dokumente udhëtimi, si pasaporta, karta identiteti e viza të vendeve të BE-së, Anglisë, SHBA-së e Kanadasë.

Pamjet e fiksuara nga eskpertët e policisë, tregojnë një komodinë në të cilën ndodhen disa telefona celularë, të përdorur nga anëtarët e grupit, disqe me materiale për falsifikimine e vizave e pasaportave. Po ashtu shihet edhe një bllok shënimesh, ku besohet se janë emrat e personave që kanë porositur dokumente udhëtimi për në vendet e sipërcituara.

Në një ambient tjetër ndodhet një kompjuter i vendosur në një minibar. Në sirtarë vihen re një pirg dokumentesh me të cilat besohet se punohej për përgatitjen e pasaportave dhe vizave. Grupi dyshohet se mund të ketë kontrabanduar, në Angli SHBA dhe Kanada, mbi 1 mijë persona. Fitimi besohet se ka kaluar 15 milionë Dollarë, që janë ndarë mes grupit në secilin prej vendeve ku ishin rezidentë. Një pjesë e mirë e parave po ashtu besohet se janë investuar dhe në korruptimin e strukturave shtetërore të vendeve ku tranzitoheshin klandestinët. Kjo me qëllim favorizimin dhe krijimin e lehtësive, për kalimin në destinacionin final.

Të shtunën në mesditë, Policia e Shtetit konkludoi në një operacion në bashkëpunim me specialistë të FBI-së, ku u arrestruan 39 persona dhe u shpallën në kërkim ndërkombëtar edhe 12 të tjerë. Dy prej anëtarëve të organizatës ishin bullgarë dhe katër policë shqiptarë në pikat kufitare të Hanit të Hotit e Qafë Thanë. Operacioni u shtri edhe në Spanjë, Bullgari e Amerikë.

Hetimi zbuloi se trafikantët përfitonin nga 7 mijë Paund për të dërguar një person në Mbretërinë e Bashkuar, e deri në 30 mijë Dollarë, për një person që do udhëtonte në SHBA e Kanada.