Arrestimi i Frrokajt, Basha: Hetimi te jete i paanshem

2018-05-12 0

Lulzim Basha kërkoi nga organet e drejtësisë një hetim të paanshëm dhe jopolitik për kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj, me shpresën që zyrtari demokrat të dalë i pafajshëm nga akuzat të cilat i janë ngritur.

?Sot dua tu them të gjithë shqiptarëve se ne shpresojmë dhe urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrimi im dhe i PD është i pandryshuar, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, nga qytetarët e thjeshtë tek politikanët më të lartë. Ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent, jopolitik dhe i paanshëm. Shqiptarët meritojnë një drejtësi të pastër dhe jo një drejtësi të kapur dhe të ndikuar nga agjenda politike, ndaj një krahu politik në favor të një krahu tjetër.?

Në krah të deputetëve që do të jenë pjesë e komisionit hetimor për ish-Ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, Basha përmendi emrat e disa ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë për të treguar se drejtësia vepron me dy standarde kur bëhet fjalë për pushtetarët e majtë.

?Nuk mund të ketë drejtësi nëse Tahiri, Dako, Gjiknuri, Ahmetaj, Sejdini dhe një grusht kryebashkiakësh në akuzë për vepra të rënda penale nuk do dalin para drejtësisë. Ka një presion shumë të madh politik për të mbyllur çështjen Tahiri?.

Basha tha se paralelisht me punën e komisionit hetimor prokuroria duhet të hetojë në lidhje me grupin kriminal Habilaj-Tahiri, lidhjet e zyrtarëve të lartë, si dhe përfshirjen e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit në trafikun e lëndëve narkotike.

Tv Klan