Fatos Çoçoli për Report TV - Si ndalohen financimet okulte të partive?

2018-05-12 1

Përllogaritje jo zyrtare flasin për fonde të nivelit të 180-200 milionë eurove që kanë qarkulluar në duart e partive tona kryesore në fushatat zgjedhore që nga viti 2002 e këtej, në masën mbi 80 përqind të pakontrolluarea nga institucionet shtetërore përkatëse.

Ligji për partitë politike është i vitit 2000. Ai përbën një dështim të plotë për t?i kontrolluar financiarisht këto grupime publike dhe një Vaterlo të mirëfilltë në luftën për moscënimin e interesit publik dhe qytetar nga aktiviteti financiar i fshehtë (okult) i partive, megjithë disa ndërhyrje-arnime të viteve 2011 dhe 2014.
Ligji duhet të amendohet urgjentisht me dispozita ligjore shtesë të detyrueshme për aktivitetet e partive politike, që kanë të bëjnë me vetë-publikimin e pasqyrave financiare, me informacione të detyrueshme në lidhje me anëtarët e tyre, për të përcaktuar nivelin e kuotizacioneve që derdhin. Shtesa ligjore duhet të përcaktojë qartë detyrimin kohor kur partitë duhet të dorëzojnë bilancet periodike, të ardhurat dhe shpenzimet, njëlloj sikurse sot ligji fiskal detyron çdo njësi ekonomike të paraqesë bilancin brënda datës 31 mars të vitit pasardhës. Ligji duhet të jetë shumë i qartë dhe i detajuar në lidhje me dhuruesit, donatorët e fushatave dhe ata që ofrohen gjatë viteve jo zgjedhore.