Sot shënon dhjetë vjetorin tragjedia e Gërdecit, ku nga shpërthimi në qendrën e demontimit të municioneve të ngritura në kushte mesjetare në këtë fshat humbën jetën 26 persona, mbetën qindra të plagosur dhe dëmet materiale ishin të konsiderueshme.
Mes viktimave kishte fëmijë të mitur, gra, të moshuar, shumë prej të cilëve punonin në kushte që nuk plotësonin asnjë standard në një ambient të hapur në fshatin Gërdec pranë Vorës. Ngjarja e rëndë shokoi mbarë opinionin publik shqiptar, ndërsa lajmi u përhap në të gjitha mediat e rëndësishme ndërkombëtare.
Ashtu si çdo vit, edhe ditën e sotme familjarët kanë kryer homazhe te varrezat e viktimave të tragjedisë, ku ndryshe dhe vitet e tjera këtë radhë nuk ka shkuar asnjë politikan. Report Tv i është bashkuar dhimbjes së familjarëve, duke ndjekur nga afër homazhet. Familjarët e viktimave e kanë cilësuar këtë një krim shtetëror, duke thënë për mikrofonin e Report Tv se të afërmit e tyre i mori shteti dhe jo Zoti.
?Vrasja ndodhi për faj të tyre, jo për fajin tonë. Nuk e di si duhet trajtuar kjo. Dëmshpërblimi nuk duhet të llogaritet, sepse na vranë, shkatërruan. Shteti na mori njerëzit më të afërt, jo Zoti?, thonë ata mes dhimbjes e lotëve.