Gjobat e vendosura ndaj kompanive që kanë abuzuar me pozitën dominuese në treg nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, ende nuk janë ekzekutuar nga ana e Drejtorisë së Përmbarimit. Janë 13 vendime të cilat kapin një vlerë prej 2.5 milionë dollarësh, të cilat i mungojnë buxhetit të shtetit, ndërsa 4 prej tyre kanë kaluar afatin e ekzekutimit, duke sjellë pavlefshmërinë e tyre. Problematikën e ka konstatuar në Komisionin e Ekonomisë kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Juliana Latifi.
Latifi tha se Autoriteti i Konkurrencës do të nisë po ashtu edhe monitorimin e koncesioneve të cilat kanë të drejta ekskluzive në treg për të parë nëse ka abuzim me pozitën dominuese nga ana e kompanive.
Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës kanë kërkuar që edhe përgjatë këtij viti Autoriteti i Konkurrencës të monitorojë tregun e karburanteve dhe lëvizjes së çmimeve nga ana e tregtarëve të këtij sektori.