I dehur qe ne mengjes, arrestohet shoferi i autobusit

2018-05-12 0

Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar një shofer autobusi që drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Shoferi Besnik H. 52 vjeç, drejtues i autobusit të linjës Tufinë - Qendër Tiranë, rezultoi pozitiv në testin e alkoolit në masën 0.66 mg/l. Policia thotë se shoferi i autobusit u konstatua i dehur mëngjesin e së hënës rreth orës 06:42.
Ndërkohë, Kontrollet e rrugorëve kanë vazhduar gjatë fundjavës për të evidentuar drejtuesit që drejtonin mjetin në gjendje të dehur si dhe pa dokumentacion të rregullt. Nëntë drejtues automjetesh u arrestuan për drejtim makine pa patentë dhe nën ndikimin e alkoolit.
Sipas policisë, një drejtues mjeti J.M., u ndëshkua për 6 shkelje njëherësh. Ai nuk iu bind policisë për të ndaluar, tejkaloi shpejtësinë në qendrat e banuara, vazhdonte lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalon atë, rezultoi nën efektin e alkoolit ku testi i parë 0.70 mg/l testi i dytë 0.65 mg/l, mjeti me xhama të errësuar si dhe debitor me një masë plotësuese të pashlyer.
Gjatë gjithë fundjavës u hoqën 75 patenta dhe u vendosën 1751 gjoba. Policia Rrugore e Tiranës thotë se do të vijojë në mënyrë të pandërprerë kontrollet në të gjitha rrugët e Tiranës.