Report TV - Kryebashkiaku Veliaj dhe Noizy mbjellin 550 pemë te Liqeni i Farkës

2018-05-12 0

Parku i Liqenit të Farkës ka nisur të marrë formë, si një tjetër hapësirë çlodhëse për banorët e Tiranës, por edhe pjesë e gjurmës ku do të kalojë Pylli Orbital. Aksionit për gjelbërimin e qytetit kësaj here iu bashkua një mik i veçantë, këngëtari shumë i pëlqyer nga të rinjtë, Noizy, i cili mbolli disa pemë së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj. Ata i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk i janë bashkuar nismës, që të shfrytëzojnë 10 ditët e fundit për të mbjellë pemë.
?Sot është një ditë fantastike për të mbjellë pemë, për të qenë këtu me shokë e miq, që i çmojmë jashtë mase. I jam mirënjohës Intermedika-s që na dhuroi pemët. E vlerësoj jashtë mase që kanë zgjedhur që përgjegjshmërinë e tyre sociale, ta përkthejnë në gjelbërim për qytetin. Patjetër që korporatat e bizneset kërkojnë të bëjnë biznes dhe të jenë sipërmarrje fitimprurëse, por e ndajnë këtë fitim me komunitetin dhe mënyra më e mirë për t?ia dhënë mbrapsht komunitetit është duke dhuruar fidanë, të cilët nesër do e kthejnë parkun e Farkës në një park të ngjashëm me Parkun e Liqenit?, u shpreh Veliaj.