Pasi i ndërprenë për dy javë protestat dhe thuajse të përgjysmuar, artistët rimblidhen për të komunikuar lëvizjen e tyre të radhës. Ata u shtrijnë dorën gjithë shqiptarëve për të kontribuar në rikonstruksionin e teatrit.
Ideja që njeh shembuj edhe në Evropë, si në rastin e ndërtimit të Teatrit Kombëtar në ish-Republikën Çeke me dhurimet nga vetë njerëzit në 1883, duket se është ende e tillë. Ata nuk prezantuan as një studim dhe as shumën e parave që nevojitet për rikonstruksionin, që edhe në këtë pikë, atë të ruajtjes ose jo të godinës së vjetër artikulojnë mendime të ndryshme.
Në takimin ku munguan disa nga zërat kryesorë të protestave më të hershme, mes tyre edhe ata që sot kandidojnë për drejtor në Teatrin Kombëtar, u përsëritën dy kërkesat, transparencë për ide-projektin e Teatrit Kombëtar dhe një diskutim publik me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro për projektligjin për artin dhe kulturën.
Në mbyllje u kërkua një takim me anëtarët e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit për të përcaktuar qëndrimin e artistëve nëse kërkesat e tyre nuk gjejnë zgjidhje.