Gjykata e Shkallës së Parë Administrative ka rrëzuar kërkesën e Rovena Gashit, ish-Drejtores së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ajo kërkonte shfuqizimin e vendimin që e lironte nga detyra dhe rikthimin në vendin e punës së mëparshëm. Por gjykatësi ka argumentuar se Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku i ka të gjitha të drejtat për të riorganizuar institucionin e saj.
Gjithashtu e drejta e Gashit si magjistrate nuk është cënuar, pasi ajo vazhdon të ushtrojë detyrën e saj si prokurore në organin qendror të akuzës. Në fund të seancës, avokati i Gashit, Çlirim Gjata bëri akuza ndaj gjykatës.
Pritet që vendimi i kësaj të enjteje të apelohet, pasi për avokatin ai është i paligjshëm. Lëvizjet e Arta Markut në Prokurorinë e Përgjithshme sollën përplasje të forta, pasi edhe bashkëshorti i Rovena Gashit, Dritan Gina e kallëzoi në prokurori për shkarkimin nga kreu i Prokurorisë së Elbasanit.