Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka vizituar sot në mesditë zonat e përmbytra në fshatin Obot në Shkodër. Banorët i kanë kërkuar ministrit ndihmë, pasi janë bllokuar nga uji, ndërsa u ka mbaruar edhe baza ushqimore për bagëtitë.
Ministri u shpreh se pavarësisht nëse shpallet apo jo gjendje e emergjencës, fermerët do të ndihmohen. ?Po shohim situatën dhe po gjejmë mundësinë të ndihmojmë fermerët.
Sapo të përfundojë përmbytja do nisë evidentimi i dëmeve. Ministria e Bujqësisë është pranë fermerëve po sigurohet baza ushqimore për bagëtitë. Nëse nuk do të shpallet emergjenca ne do të mbështesim fermerët? deklaroi ai.
Shumë fshatra janë të bllokuar nga përmbytjet, ndërsa e vetmja rrugë për të qarkulluar është me varkë. Mëngjesin e sotëm një person me probleme shëndetësore është transportuar me varkë për në qendrën shëndetësore, pasi banesa është bllokuar nga uji.