SHKODER-Në të gjithë qarkun janë më shumë një mijë hektarë tokë e përmbytur nga reshjet e ditëve të fundit dhe shkarkimet nga HEC-et. Probleme ka në njësitë Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi dhe shumë fshatra, të cilët janë nën pushtetin ujit. Sipas të dhënave të fundit të ardhura nga Shkodra, njoftohet që niveli i ujit ka pasur rritje deri në 20 cm që nga mbrëmja e djeshme.
Në fshatin Obot nuk kalojnë mjetet e ushtrisë dhe tashmë mund të lëvizet vetëm me varkë. Administratori i Anës së Malit Arben Ceni tha për Report Tv që kalimi në Obot bëhet i mundur vetëm me varka, është e pamundur të kalojnë mjetet e ushtrisë.Në Obot dhe fshatra të tjerë të Shkodër ndodhen forcat e ushtrisë. Ndërkohë kryebashkiakja e Shkodrës, Ademi i ka bërë një tjetër thirrje Prefektit që të shpallë gjendjen e emergjencës, pasi situata pritet që të rëndohet si pasojë e reshjeve dhe shkarkimeve nga HEC-et.