Meta per autorizimin: Ka nje kohe per cdo ceshtje

2018-05-12 0

Një ditë pasi Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u shpreh se ishte shpresëplotë që autorizimi për nisjen e negociatave për çështjen e kufirit detar me Greqinë do të firmoset në një kohë të afërt nga Presidenti, kreu i shtetit nuk lë të kuptohet të njëjtën gjë. I pyetur, Meta shprehet se ka një kohë të caktuar për çdo çështje dhe këtë të mërkurë, sipas tij, është momenti vetëm për të folur për 7 Marsin.

"Nuk e di nëse zoti Bushati ka qenë tek shkolla ?Fan Noli?. Por mendoj që shkolla ?Fan Noli? na ka mësuar gjithmonë që çdo gjë në kohën e duhur".

Kërkesën për marrjen e autorizimi për të nisur negociatat Ministri i Jashtëm ia ka adresuar Presidentit në mesin e muajit Shkurt, por kreu i shtetit i ka kërkuar 2 herë radhazi Ministrit informacione shtesë.

Presidenti doli në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se kërkesa e Ministrit të Jashtëm ishte e paqartë, si dhe binte ndesh me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010.

Kjo deklaratë u pasua nga një tjetër komunikim shkresor mes dy institucioneve. Polemika të mëdha ka shkaktuar dhe lista me emrat e negociatorëve që Ministri i ka dorëzuar kreut të shtetit, por për këta të fundit presidenti vetë nuk ka bërë ende asnjë koment.

Pritet vendimi që do të marrë kreu i shtetit, çka do t'i hapte rrugën negociatave zyrtare mes Shqipërisë dhe Greqisë për të zgjidhur mes të tjerash përfundimisht dhe ndarjen e hapësirës detare mes dy shteteve.

Free Traffic Exchange