Bushati: Po punojme me Meten per autorizimin

2018-05-12 0

Ministria e Jashtme shpreson të marrë shumë shpejt autorizimin nga Presidenti i Republikës Ilir Meta për të nisur negociatat me Greqinë për çështjen e detit. I pyetur për këtë çështje gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm sllovak, ai tha se koha është shumë e rëndësishme dhe të dyja ekipet janë duke punuar së bashku.
"Mund të them që jemi në kontakt me Presidentin e Republikës. Ekipet tona janë duke punuar së bashku dhe mendoj që të gjitha çështjet të cilat janë ngritur nga ana e Presidentit të Republikës do të marrin përgjigje shteruese, sepse është krejt normale për një proces delikat siç është procesi që ne do të fillojmë së shpejti me Greqinë, pas marrjes së autorizimit nga Presidenti i Republikës. Duke qenë se ky proces është delikat dhe në të shkuarën ka pasur edhe aksidentet e tij, ne duam që nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese të kemi një qasje sa më solide dhe të shuajmë çdo lloj pikëpyetje të mundshme".
Presidenti u takua javën e kaluar edhe me deputetë të Komisionit të Jashtëm, të cilët thanë se kreu i shtetit është në drejtën e tij të kërkojë informacione shtesë për grupin negociator dhe se interesi është që me Greqinë të arrihet një marrëveshje e drejtë.