Kapja e 613 kg kokaine, DEA ne portin e Durresit

2018-05-12 1

Pas kapjes së 613 kilogramëve kokainë në Durrës prej dy ditësh, katër ekspertë të agjencisë amerikane të antidrogës DEA ndodhen në portin e këtij qyteti.

Ekspertët kanë ardhur nga Athina, aty ku ndodhen zyrat e DEA për të gjithë Ballkanin. Mësohet se ata kanë kërkuar të njihen me gjithë praktikën e ndjekur nga autoritetet shqiptare në këtë aksion nga veprimet e doganave, policisë dhe prokurorisë.

Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda, që po kryen hetimet për këtë çështje, ka nisur një letër porosi drejt Prokurorisë së Livornos në Itali. Në portin e këtij qyteti, kontenieri me banane ka qëndruar disa ditë dhe ka dyshime se është kontrolluar nga autoritetet atje.

Hetuesit shqiptarë kërkojnë të njihen me praktikën e ndjekur për kontrollin e kontenierit, pasi kanë dyshime mbi dokumentacionin që shoqëronte mallin. Ka dyshime se dokumentacioni që është paraqitur në doganën shqiptare është dorëzuar për të shmangur procedurën e kontrollit të kontenierit ku fshihej sasia rekord e kokainës.

Grupi hetimor ka marrë dëshminë e Donaldo Lushajt, menaxherin i kompanisë "Arbri Garden", e cila transportoi kokainës. 25-vjeçari u ka konfirmuar hetuesve se ngarkesa ishte vonuar disa ditë në portin e Livornos. Ndërsa ka sqaruar se kompania kishte marrëdhënie tregtare me Kolumbinë, Ekuadorin dhe Argjentinën.

I arrestuari tjetër për këtë çështje është shoferi i komionit Armando Pezaku, i cili ka mohuar përfshirjen në trafikun e kokainës.