Arrest me burg per 3 grabitesit e pikes se kembimit

2018-05-12 1

Me pamjen e një të penduari, Lulëzim Demiraj mbërriti në Gjykatën e Fierit, ndërsa shihet i përlotur teksa dy efektivë policie e mbajnë nga krahët përpara kamerave.

Gjykata e la Demirajn në arrest me burg bashkë me dy shokët e tij, Zini Fyraj dhe Dashamir Gergali. Ata akuzohen për grabitjen e pikës së këmbimit valutor ditën e premte në Fier, ku u plagos pronari i saj dhe mbeti i vrarë 54-vjeçari Agur Vrenozi.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie. Në vetëm 30 minuta, gjykata vendosi për të 3 autorët e grabitjes lënien e tyre në burg deri në përfundim të hetimeve.

Sipas prokurorisë, Dashamir Gergali ishte në rolin e shoferit dhe po priste shokët 2 km nga vendi i ngjarjes. Në ikje, Lulëzim Demiraj, i cili mbante një armë kallashnikov në dorë qëlloi një herë drejt pronarit Gëzim Hoxha, i cili u plagos në këmbë dhe drejt Agur Vrenzoit, i cili mori një plumb në kokë. Ky i fundit tentoi të ndalë grabitësit duke i qëlluar me karrige, siç duket edhe pamjet e regjistruara nga një kamera sigurie.

Vrenozi ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Autorët arritën të largohen me 6 mijë euro dhe 400 mijë lekë të reja.

Të 3 u larguan drejt fshatit Baltëz ku braktisën makinën dhe u fshehën në zonë. Fyraj ka qenë i proceduar më herët për grabitje. Burime nga grupi hetimor thanë se edhe Demiraj ka qenë i dyshuar për një vjedhje në Vlorë.

Presidenti i Republikës i dha Agur Vrenozit Dekoratën e Artë të Shqiponjës pas vdekjes.

Free Traffic Exchange