Për gjithë shtetasit izraelitë të cilët do të duan të udhëtojnë me avion drejt Shqipërisë pa qenë nevoja të bëjnë ndalesa në aeroporte të tjera, nga vera në dispozicion të tyre do të ketë një linjë direkte ajrore. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama gjatë Konferencës Vjetore të Komitetit Izraelit-Amerikan të Çështjeve Publike (AIPAC), ku ishte i ftuar nderi.
?Për herë të parë, këtë vit do të ketë një fluturim të drejtpërdrejtë nga Izraeli në Shqipëri përgjatë periudhës së verës. Kështu që unë dëshiroj fort, që ajo çka një herë e një kohë përkufizohej nga Leo Elton, në raportin e vet të 1935-s, si toka e dytë e hebrenjve, të bëhet shtëpia juaj e dytë për pushime. Kështu që jeni mjaft të mirëpritur në Shqipëri.?
Duke rikthyer në vëmendje historinë, mbrojtjen që shqiptarët u bënë hebrenjve kur regjimi nazist i Hitlerit i përndiqte, Rama tha se në nder të miqësisë mes dy popujve është angazhuar të ndërtojë një qendër kulturore në zemër të Tiranës.
?Dua të bashkëndaj me ju se jam i angazhuar personalisht që të ndërtoj një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në zemër të Tiranës, kryeqytetit tonë dhe për këtë kemi angazhuar Daniel Libeskind, që është autori i madh i muzeut hebraik në Berlin, që po punon me ne për këtë projekt. Ne duam që në këtë qendër të tregojmë historinë e marrëdhënieve tona për fëmijët tanë, por edhe për fqinjët tanë.?
Kryeministri foli edhe për sigurinë dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmin e dhunshëm dhe burimeve që financojnë kësi veprimtarish përfshirë edhe kontrabandën drogave të ndryshme.
Ftesa për të folur në këtë forum vjen në një kohë kur qeveria shqiptare është akuzuar nga opozita për votën kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ne Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në lidhje me vendimin e Uashingtonit për ta shpallur Jerusalemin kryeqytet të shtetit hebre.
Tv Klan