'Krëhër' pronave në bregdet

2018-05-11 1

Pas skandalit me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë, qeveria do të kalojë në sitë të gjitha vendimet për pronat e përfituara në bregdet me ligjin 17 501 që prej vitit 1991. Këtij procesi do t'i nënshtrohen rreth 30 mijë parcela.

"Janë ndarë duke i konsideruar si toka bujqësore, zona e rërës, së plazheve, është ndarë zona e brezit pyjor të bregdetit, janë ndarë kënetat, ligatinat e moçalet e ultësirës, janë ndërruar zërat kadastralë duke kthyer tokat e pafrytshme në toka bujqësore, është vepruar mbi prona që kanë qenë jetë e mot prona shtetërore".

Sipas kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame abuzimet janë shtrirë thuajse në të gjithë vijën bregdetare.

"Mund të përmendim si zona me problematika të tilla: bregdetin e Velipojës, atë të Lezhës, të Shëngjinit, zonën e Kune-Vainit, Ishull Lezhën, Gjirin e Lalëzit, bregdetin e Spillesë në zonën e Kavajës, bregdetin e Semanit, zonën e Nartës, zonën e Orikumit dhe bregdetin e Rivierës në përgjithësi në jug".

Lame foli akuzoi si përgjegjës ish- zyrtarë dhe pushtetarë lokalë.

"Funksionarë shtetërorë, komisione fshatrash, kryetarë komunash, në abuzim të pastër me pushtetin që kanë patur, kanë ndarë dhe përvetësuar si toka të kooperativave bujqësore, toka dhe zona bregdetare që kurrë nuk kanë qenë prona të kooperativave".

Për tjetërsim të zonave në plazhin e Spillesë javën e kaluar u proceduan penalisht 7 persona mes të cilëve ish-kryeregjistruesi i Kavajës, kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini, si dhe disa ish-nëpunës të saj. Në kërkim është shpallur biznesmeni Idlir Karkini, i cili rezulton pronar i një poligoni që dikur rezulton të ketë qenë në inventarin e Forcave Ajrore.

Free Traffic Exchange