Në Juglindje situata nga moti duket në përmirësim, por problem mbeten zonat e izoluara nga bora. Në Mokërr në Pogradec, prej 4 ditësh mungon energjia elektrike dhe po prej kaq ditësh procesi mësimor është pezulluar. Rrugët nacionale janë të qarkullueshme, përveç rrugës që të çon në Dardhë, në të cilën lëvizet vetëm me zinxhirë.
Në Elbasan segmentet nacionale janë të hapura. Në Qafëthanë drejtuesit e automjeteve duhet të lëvizin me kujdes për shkak të ngricave. Aksi nacional që lidh Librazhdin me Peshkopinë dhe Fushë-Studen është i bllokuar. Zonat e thella malore, gjithashtu janë të bllokuara dhe nuk po zhvillohet procesi mësimor.
Trashësia e borës në qytetin e Peshkopisë arrin deri në 50 cm ndërsa në zonat thella trashësia kalon mbi 1 metër. Te izoluara plotësisht janë njësia administrative Lurë, fshatrat e Selishtës, Kalasë së Dodës, Sllovës, Melanit e Luznisë. Banorë të fshatrave Venisht dhe Dipjakë kanë marrë lopatat dhe kanë nisur ta pastrojnë vetë rrugën e fshatit deri tek rruga kryesore.
Edhe në Kukës procesi i mësimit është ndërprerë. Reshjet e bores vijojnë por me intensitet më të ulët. Rruga e kombit ka akses të vazhdueshëm dhe qarkullimi nuk është ndërprerë. Gjate 24 orëve të fundit janë hapur rrugët që lidhin Kukësin me disa njësi administrative. Të bllokuara mbeten Arrni, Kalisi, Bushtrica dhe Grykë-çaja.