Shqipëria vend tranzit i kokainës - News, Lajme - Vizion Plus

2018-05-11 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Deklaratat e prokurorit të antimafias italiane se grupet kriminale shqiptare tashmë kontrollojnë dhe trafikun e kokainës, u faktuan me sasinë prej 613 kilogramësh të sekuestruar nga policia.



Ndonëse pjesa më e madhe e kokainës ka pasur gjithmonë destinacion tregun Europian sasia rekord e sekuestruar në Maminas tregon një realitet tjetër. Zhdoganimi i kontenierit në Shqipëri dhe 528 pakot e kokainës me kode të porositësve vërtetojnë faktin se ngarkesa pritej nga grupet kriminale shqiptare. Por ky nuk është rasti i vetëm në të cilin Shqipëria ka shërbyer si transit apo dhe destinacion i drogave të forta. Që nga viti 2010, numri i rasteve dhe sasitë e bllokuara ka qene ne rritje



Në vitin 2011 një maune e mbushur me vaj palme, ku u gjetën 200 kilogramë kokainë, u bllokua nga policia e Gjirokastrës, ndërsa u arrestuan pesë persona. Aksioni ndërkombëtar antidrogë përfshiu Shqipërinë, Spanjën dhe Belgjikën, ndërsa ngarkesa kishte kaluar në të paktën pesë shtete. Kokaina ishte fshehur me anë të tretjes në vaj palmash, një lëndë që përdoret për prodhimin e kruasantëve. Dimitros Haziraj i arrestuar nga policia e Gjirokastrës ishte shoferi i maunes që hyri në Shqipëri nga Maqedonia.



Sasia më e madhe pas kësaj të kapur këtë të mërkurë ishte ajo në Malin e Zi në qershor të vitit 2014. Edhe në atë kohë trafikantët tentuan ta kalonin drogën me një kontenier bananesh. Sasia e gjetur ishte 250 kilogramë . në atë kohë policia arrestoi në Rinas kolumbianin 36-vjeçar me pasaportë spanjolle Cesar Augusto Triana.



36-vjeçari kishte ardhur në Shqipëri në 19 maj të 2014 dhe dyshohej se ishte personi që do merrte paratë e kokainës kur ajo të mbërrinte në Tiranë. Droga u bllokua nga autoritet doganore në portin e Barit në Malin e Zi në një nga tre kontenierët me banane të cilat vinin nga Ekuadori të porositura nga kompania Rrapaj nga Fieri.



Veç transportit të drogës grupet kriminale kishin arritur të instalonin dhe laboratorë të përpunimit të saj në Shqipëri.



Në janar të vitit 2015 policia identifikoi një laborator i cili ishte i përfshirë në nxjerrjen dytësore të kokainës. Operacioni u finalizua me sekuestrimin e 20 kg kokainë e cila kishte si destinacion Gjermaninë.