Thellohet skandali i zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit. Report TV zbulon një tjetër manipulim të rezultatit për Komitetit Ekzekutiv, kësaj radhe në raundin e dytë. Duke disponuar ekskluzivisht videon e plotë dhe të pandërprerë, me zë dhe figurë, duke mbajtur në mënyrë ekzakte votat, ashtu siç i lexon kryetari i Komisionit të votimit, Report TV zbulon se zoti Edmond Spahiu është shpallur fitues në mënyrë të parregullt.
Në raundin e dytë, nga ku do të dilnin katër anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv, pasi 5 u zgjodhën në raundin e parë, votuan 43 delegatë. Në raundin e dytë fitonin 4 kandidatët që merrnin më shumë vota.
Pas numërimit të përpiktë të Report TV, më shumë vota kishin Enkeled Alibeaj, 29, Edvin Libohova, 26, Bardhyl Minxhozi, 21 dhe Kristian Gjidoda 17. Për 3 të parët edhe komisioni kishte numër të njëjtë votash. Po për çudi, në vend të Gjidodajt, fitues shpallet Edmond Spahiu me 18, që në fakt kishte marrë vetëm 14 vota, duke i shtuar 4 vota.