Zbardhet kërkesa e Presidentit për negociatat me Greqinë

2018-05-11 0

Ministri i Jashtëm pranoi përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm ku ishte thirrur për të folur për negociatat me Greqinë, se nga presidenca i është kërkuar përsëri informacion shtesë.

Mësohet se në letrën që zytari i presidencës, i autorizuar nga kreu i shtetit, i ka adresuar ministrit të Jashtëm ndër të tjera nenvizohet se: "Ministria e Jashtme nuk ka një strategji të qartë negocimi, nuk është e përgatitur mjaftueshëm për këtë proces ndërkohë që presidenti nuk është informuar në lidhje me çka është biseduar në takimet mes dy ministrave Kotzias-Bushati".

Por në komision ministri deklaroi se me Presidentin komunikimi ka qenë i mjaftueshëm. Madje, sipas tij vetëm pasi është sqaruar në mënyrë shkresore kreu i shtetit ka mësuar kush janë momentet kur kërkohet ndërhyrja e tij sipas ligjit në një proces negociatash.

Bushati u pyet dhe për ekipin negociator dhe pikërisht për Artur Meçollarin, që sipas opozitës ka qenë bashkëpunëtor i agjencive të huaja të spiunazhit.

Ditmir Bushati: "Mos i linçoni negociatorët se është turp dhe në sytë e grekëve".

Nuk munguan dhe tonet e larta dhe akuzat personale mes ministrit dhe anëtareve të komisionit.

Opozita ka kërkuar që për këtë çështje në komision të thirret për t'u pyetur dhe Presidenti i Republikës për të thënë të vërtetën e tij. I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit, i cili përmes zëdhënësit të tij shprehu gadishmërinë për t'u paraqitur. I gatshëm për të qenë së bashku me presidentin në ate seancë, e shprehu dhe ministri Bushati.