Denis Demiri dhe Ardian Serezi kanë mohuar se kanë qenë ata autorët e vrasjes së biznesmenit Memli Begalla. Burime nga policia e Tiranës thanë për Report Tv se dy autorët e dyshuar nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë. ?Nuk kemi ne lidhje me vrasjen?, mësohet të kenë thënë Denis Demiri dhe Ardian Serezi.
Pavarësisht se janë njohur me provat shkencore të Policisë, të dy të arrestuarit kanë mohuar lidhjet e bëra nga Uniformat Blu. Hetuesit u kanë treguar autorëve shenjat e gishtave që janë gjetur në makinën BMV, që u përdor për vrasjen e Begallës, të cilat janë të njëjta me gjurmët e Denis Demirit e Ardian Serezit. Pikërisht kjo makinë BMV që është larguar pak sekonda pas vrasjes së biznesmenit pranë sheshit Wilson, është sekuestruar nga Policia. Aty janë gjetur gjurmë gishtash dhe më pas hetuesit kanë mbajtur në vëzhgim Demirin dhe Serezin.
Në një lokal në zonën e Kombinatit, sapo janë çuar nga një Bar-Kafe, hetuesit kanë marrë filxhanët e kafes që u përdoren nga dy autorët e dyshuar. Më pas gjurmët kanë rezultuar të njëjta me ato që u gjetën në makinën BMV. Kjo është një ndër provat e forta që ka në dorë Policia e Tiranës, bashkë me një komunikim që Demiri dhe Serezi kanë me njëri-tjetrin, ku thonë se ?Shpëtuam, u arrestuan persona të tjerë?.